Konferenca është planifikuar të mbahet nga 24 Gushti deri më 4 Shtator
2009 në Prishtinë. (Shpresojmë që, deri atëherë, të ketë mbaruar
autostrada Tiranë-Prishtinë, në mënyrë që ne nga Tirana të mund të
shkojmë kollaj.) Kjo konferencë synon që të krijojë një veprimtari të
përvitshme në Prishtinë, e cila të ketë për qëllim përhapjen e dijes
mbi softet e lira dhe programet e hapura. Në botë ka plot konferenca
të tilla të përvitshme, shumë prej të cilave zhvillohen qysh prej mbi
10 vjetësh. Organizatori kryesor i kesaj konference është James Michael DuPont
Meqë Kosova është një shtet i sapolindur dhe një vend në zhvillim,
konferenca do të përqendrohet kryesisht në këto çështje:
0. Ç'janë softet e lira dhe programet e hapura?
1. Si mund ta ndihmojnë softet e lira një vend në zhvillim?
2. Punë konkrete në përdorimin e softeve të lira për shkollat dhe bizneset.
3. Si mund të përfitojnë nga softet e lira Qeveria dhe institucionet?
4. Programues vendorë (nga Kosova dhe Shqipëria) që paraqesin punimet
dhe projektet e tyre.
5. Po ashtu ndonjë çështje tjetër që ka lidhje me softet e lira.
6. Voice Over IP.
7. Si mund të punohet në Windows duke përdorur Softet e Lira dhe
Programet e Hapura.
8. Copyright-tet, Licencat dhe Patentat.
Pjesëmarrësit do të jenë kryesisht nga rrethinat lokale (Kosovë,
Shqipëri, etj.) por do të ketë edhe të ftuar të tjerë, kryesisht nga
vendet e BE-së dhe nga SHBA-ja. Organizatori (Majku) synon që të ftojë
në konferencë edhe Richard M. Stallman, por kjo varet edhe nga
sponsorizimet që do të ketë konferenca, meqenëse RMS nuk është aq i
pasur sa të paguajë vetë shpenzimet për udhëtimet nëpër konferenca.
Unë do t'i ftoja ata që kanë mundësi, që të marrin pjesë në këtë
konferencë, meqenëse ky do të ishte edhe nje rast i mirë për t'u
takuar dhe për t'u njohur me njëri tjetrin. Nëse jeni të interesuar
për të marrë pjesë ose për të paraqitur artikuj, mund të regjistroheni
te: http://www.kosovasoftwarefreedom.org/cms/
Nëse dëshironi të paraqisni ndonjë artikull, mund ta regjistroni
artikullin te Google Docs.
Nëse keni mundësi dhe jeni të gatshëm të ndihmoni në organizimin e
konferencës, atëhere kontrollojeni edhe këtë lidhje:
Volunteer Project Manager and Worker at Software Freedom Conference Kosova 2009.
Përveç paraqitjes së artikujve, konferenca ka nevojë edhe për sponsora
dhe, gjithashtu, mos harroni që të njoftoni edhe miqtë tuaj lidhur me
këtë ngjarje.