You are here

Hyrja Ime (Intro)

klejdi's picture

Gjëja që nisi udhëtimin tim me kompjuterat, qe rasti që pati im atë në vitet '90 për të provuar kompjuterat. Nuk e di se ku ose kur ndodhi, thjesht di që ai rast e la tim atë të kuptonte se kompjuterat ishin tipi i tij, gjëja e tij ("was his thing").

Kompjuteri më i vjetër që mbaj mend të kem përdorur ishte një si tipi i iMac-save të vjetër, kishte ekran CRT dhe mbaj mend që e hapnim zakonisht në raste kur prishej. Ama, ishte katror, dhe këto janë gjërat e vetme që mbaj mend për të, kanë kaluar mbi 11 vjet. Kishim dhe një laptop, Sony, që iu dogj GPU-ja kur ime më e përdorte mbi batanije natën. Hera e parë që e pashë atë qe në Shtator, vitin e kaluar, 2024. Midis kësaj periudhe të kompjuterit me CRT dhe sot, kemi pasur plot pajisje të ndryshme.

Dy prej tyre ishin kompjutera rë një Internet Kafeje, Hewlett-Packard me Pentium 2, me HDD 40 GB dhe 2 GB RAM, besoj DDR2. Njëri prej tyre kishte prograin origjinal të sistemit të Kafesë. Kur hapej sistemi, Windows XP, kërkonte një username dhe password, që ne i dinim. Të instaluara kishte Counter Strike (s'e di çfarë versioni), GTA Vice City, disa programe për menaxhimin e serverave të lojërave dhe paketën e Office, mbaj mend të ishte Office 2007. Ndërsa tjetri kishte Windows 7, edhe ky paketën e Office, por asnjë lojë. Para 7-8 vjetësh, m'u tek të filloja të përdorja kompjuterin. Për disa muaj vetëm kërkoja në Google ose shihja YouTube, gjersa më doli përpara "Emulacioni i aplikacioneve Android në Windows", e, Bluestacks kërkonte më shumë resurse sesa kishte kompjuteri im. Shkarkova një tjetër, i cili arriti të prishte një file në sektorin e boot të Windows-it. Atëherë nuk merrja shumë vesh nga kompjuterat, dhe fakti se një riformatin sistemi këtu ende kushton 25$, më trembi se s'do më jepej shansi për t'a përdorur atë.

Nga 2019, një kushëri i tim atë na dhuroi MacBook-un e tij të vjetër, MacBook Early 2007 (MacBook4,1). E çuam ta përditësonim, dhe për vitin e ardhshëm punonte për mrekulli, dhe pse i vjetër. Kjo gjersa fillova të shkarkoja lloj-lloj gjërash, si Adobe Illustrator, Minecraft Launcher, Opera etj.. Sistemi filloi të ngadalësohej, e ndaj unë vendosa t'ia rihedh. Nuk e di si e bëra, por besoj me anë të Recovery Mode. Më pas, pashë disa video të Windows-it të instaluar në MacBook. Gjatë kësaj periudhe, 2019-2022, im atë solli një kompjuter të tipit Workstation nga puna, Lenovo ThinkCentre E73, me Windows 10 të instaluar, Intel i3 3rd Gen, 128GB SSD, 5 (4+1) GB RAM DDR3. Që prej atje hodha Windows 7 në një USB me anë të Rufus, e, kur kuptova që MacBook-u im nuk e suportonte fillimin nga një USB me sistem 64-bit, hodha një ISO 32-bit në DVD, disa në fakt. Prapë nuk nisej. Pashë një video, një person kishte hedhur Windows 10 në të njëjtin MacBook, e ndoqa hapat e tij: hoqa HDD e laptopit për herë të parë, e futa tek Workstation-i, instalpva Windows-in që atje dhe e vendosa prapë. Fakti që arrita t'i hedh Windows-in më bëri të gëzoj për një javë plot.

Gjersa gjeta Linux-in disa muaj më vonë.

Distro-ja e parë besoj ka qenë Linux Mint, v19 me XFCE. E bëra instalimin nga Shtatori i 2023. Ishte paksa e ngavashtë, por ky fakt më dha shtysë të provoja distro të tjera. S'mbaj mend shumë se me cilën shkova më pas. Por di të them se shumica e distrove i kam provuar në këtë MacBook, edhe pse shumë i ngavashtë. Kështu a kalova kohën deri nga Nëntori vitin e shkuar, e midis këtyre datave, mbaj mend të kem provuar këto Distro:
Linux Mint, Debian, Lubuntu, Linux Mint + MATE, Kali Linux (me XFCE besoj), elementaryOS, Fedora Workstation, CentOS, WattOS, Pop!_OS, Ubuntu, Oreon (është tepër i ri), Alpine Linux dhe, domosdo, Arch Linux (me instalacion manual, jo Archinstall ose ndonjë skript tjetër). Këto të gjitha kanë qenë tek MacBook-u. Arch Linux më pëlqeu shumë, herën e parë i hodha KDE Plasma 6 ndërsa të dytën një javë më vonë XFCE. Në Shtator e zbërtheva MacBook-un për ta pastruar dhe t'i ndryshoja dhe pastën termale për disa padsa termale. Mirëpo, kurioziteti bën të vetën, de shkëputa një kabull të freskuses, i cili e kishte bazën (portin) më të hollë se 3mm. Nuk e vendosa dot, madje, duke provuar, e theva. Më erdhi shumë inat, s'kisha pajisje tjetër ku mund të bëja eksperimente (kështu mendoja), plus, prisha një trofe timin, mjetin që më mësoi gjithçka rreth Linux-it kryesisht, por dhe sistemeve.

Më pas u kujtova që mund t'i provoja të gjitha këto tek Workstation-i. Pas Nëntorit 2024, në Janar vendosa të ndryshoja komplet bazën time nga Windows 10 tek Linux. Në fillim desha t'i hidhja Nobara Project, i cili nuk u instalua korrektësisht, e ndaj mbeta me kompjutera pa sistem. Shkarkova Fedora KDE në Live Environment, e hodha tel USB-ja me Ventoy, dhe instalova atë. Për një javë a dy përdora atë, e riinstalova njëherë sepse pata probleme me lejet e përdoruesve dhe file-sat. Prapë s'më pëlqeu. I hodha NixOS, të cilin arrita t'a prishja, duke provuar të shkarkoja balenaEtcher, e cila, meqënëse përdor një bazë të vjetër që s'është në repositoret e NixOS, nuk instalohej. NixOS ishte me të vërtetë një koncept i bukur, por nuk ndoqa rrugën e vështirësimit. Instalova Ubuntu, po, me GNOME. Atë e përdora për gati një muaj të tërë, por ishte shumë i ngavashtë. Të paktën krahasuar me distro-t e tjera. Vendosa të bëja këtë: Të hidhja EndeavourOS me LXQt si sistem timin personal, me enkriptim LUKS, krahas Ubuntu-t. Ubuntu-n po e mbaja tashmë veçse për vëllezërit e mi, pasi, të themi të drejtën, ata dhe Windows-in mezi kuptonin t'a përdornin, e GNOME ishte perfekt për ta. Më pas desha të provoja Arch. Kësaj rradhe me Archinstall (për të ruajtur kohë) dhe i3wm, të cilën e konfogurova shumë bukur. Pastaj, një javë a dy më vonë, një shok (rus, nga interneti) më rekomandoi një distro: CachyOS. E kishte i3 të parakonfiguruar, dhe përdorte një kernel me të vërtetë shumë të shpejt, dyfish më i shpejtë se EndeavourOS në shumë raste. Mirëpo, instalimi "Replace Partition" dështoi disa herë. Kontaktova dhe support-in, por ata thanë që duhet të krijoja një partition të ri për /boot minimumi 2 GB, ose të ndryshoja madhësinë e së parit, dhe që të dyja këto nuk funksionuan. Instalimi ndërpritej tek Bootloader. Vendosa ta fshija fare Ubuntu-n, e formatova SSD-në dhe instalova CachyOS. Hera e parë ishte me Openbox, të parakonfiguruar. Ishte shumë, shumë i bukur dhe i lehtë për t'u përdorur si WM, por tashmë isha mësuar me Tiling WMs, dhe Openbox ishte Floating. Nuk e përdora shumë, ndoshta tre ditë. E hodha prapë CachyOS, me i3. Ama, animacionet e picom ishin shumë të ngavashta, plus edhe i3 ndoshta ishte mërzitur duke u përdorur nga unë (lmao). Thashë të provoja Hyprland. Instalimi manual nuk më pëlqeu. Ndaj instalova versionin e parakonfiguruar bashkë me një riformatim. E përdora deri tre a katër ditë më para (se sot). Më pëlqeu shumë, dhe arsyeja e vetme pse e hoqa përsëri ishte se desha të provoja konfigurimin e i3 të EndeavourOS. Atë kam të instaluar tani për momentin.

-------------------------------------

Tani të flas pak për serverat. Nga Shtatori mësova që serverat mund të bëheshin dhe me kompjutera shtëpie, e s'donin ndonjë "të fantaksur të seksionit të IT-së". Vendosa që Workstation-in t'a ktheja në një server. E lidha direkt me Router-in, instalova Ubuntu Server pa pamje grafike (të cilën ia hodha më pas), dhe u përpoqa ta konfoguroja për një javë a dy. Huq më shkoi, asgjë s'bëra dot. Por kjo më shumë nga fakti që Router-i i shtëpisë sonë nuk e ka konfigurimin e tejçimit të portave aq të thjeshtë. Atëherë madje më dukej e pamundur. Shkova në Reddit, hodha një foto të panelit të menaxhimit të Router-it, dhe kërkova ndihmë. Një djalë më tha të shkonim në DM, në Discord. Ai më ndihmoi shumë me konfigurimin e serverit. E riinstaluam sistemin, instaluam Pterodactyl (Ptero për shkurt), konfoguruam serverin e Minecraft dhe u ndalëm tek problemi me portat. As ai nuk po e kuptonte se ç'kishte që nuk bëhej tejçimi i portave. Ne e kishim konfiguruar siç duhej. Ndejtëm 3 javë të tëra duke e bërë konfigurimin e serverit, por kjo ngaqë unë isha i ngarkuar me punë. Ai si duket u lodh, dhe vendosi të më ofronte një server falas, të tipit VPS. Ai kishte në pronësi një kompani hostimi (Zorrito Hosting, tashmë VilisHost), e harxhoi disa para dhe kohë të më konfiguronte një server. Më pas fitova një giveaway të tyre (s'besoj se bëjnë më), të një serveri me 128 GB NVMe, 1 GBPS@Untethered, 3 VCores @ 3.5 GHz. Desha t'a përdorja si server për lojëra, por koha e shkurtër që ofruan, një muaj, qëlloi të ishte dhe në periudhën kur unë shkoja në dy kurse pas shkolle. Pra, e shpërdorova serverin. Kalon një muaj a dy, dhe i kërkoj një server nga paneli i tij privat, një server Minecraft-i. Ma dha atë, ende e kam, ende luaj në të kohë pas kohe. Ky tipi, me pseudonimin Surden, më ndihmoi shumë, shumë të kuptoja se si konfiguroheshin serverat. Dhe e falenderoj shumë nëse e lexon këtë ndonjë ditë.

------------------------------

Tani, s'do ta quaja përdorimin e Windows-it harxhim kohe, por thjesht të pavlershëm, kur bota e Linux-it ishte gati. Të dyja kanë të mirat e tyre, Linux-i lirinë e aksesit, ndërsa Windows-i mirënjohjen dhe famën, por dhe kompabilitetin dhe njohjen si një njësi e vtme dhe jo grup sistemesh.

--------------------------------

Në janar të këtij viti, riparova disa kompjutera nga laboratori i shkollës. Janë kompjutera të vjetër, të viteve 2000-2004. U shtova RAM-in disave, me stick-sat e mi, dhe të tërë kompjuterave që rregullova u hodha Windows 7 Proffesional, shumica 32bit. Më pas u hodha Office 2016 ProPlus, pasi librat tani punojnë me këtë version ose më të ri, dhe ata kishin Office 2007. Mësuesja më kishte folur shpeshherë për këtë problem. "Edhe pse paksa më të ngavashtë, të paktën fëmijët mund të punojnë.". Shpenzova shumë kohë, po, por kjo sepse shpejtësia e tyre ishte shumë e ngavashtë. Do të doja t'i hidhja Linux-in, ndoshta ndonjë stable-release me LTS, por librat punojnë me paketën e Windows-it, dhe, e di që WINE do të kryente një punë shumë të mirë, por akoma nuk e di si ta aktivizoj (me piratim) Office-n brenda WINE. Më duhet të hap një terminal që pastaj të ekzekutoj një skript. Ndoshta kjo është e thjeshtë, por deri më tani s'kam parë se si mund t'a bëj këtë. Linux-i me tërë mend do t'i lejonte ata kompjutera të përdoreshin për ndoshta dhe një dekadë tjetër pa probleme, por këto dy arsyet e mësipërme (librat dhe WINE) më kufizojnë shumë për lejen që t'ua instaloj.

------------------------------------

Sa për karrierën, do vazhdoj për IT. Nuk e di se në ç'sektor ende, por ndoshta në diçka që ka lidhje me programimin dhe sistemet. Këtë vit marr bursën nga shkolla për notat, dhe, edhe pse shumë pak (180 Euro), shpresoj të blej ndonjë laptop nga Qershori, ndoshta me këste. Unë gjithashtu jam artist, vizatoj ndonjëherë, më shumë për hobby, por të tjerëve, shumicës, u pëlqejnë vizatimet e mia. Në një dyqan pashë një laptop, ThinkPad L13 Yoga, me Intel i5 10th Gen, 8 GB RAM dhe 256 GB SSD, por u shit. Kishte dhe stylus, dhe touchscreen FHD. Ndoshta do të marr ndonjë laptop me sistem Ubuntu-n ose pa sistem, me Windows janë shumë më të shtrenjtë. Prapë do të jetë ndonjë ThinkPad, ose ndoshta ndonjë notebook. Një i BlackView ma kapi syrin, ishte 270 Euro, 16 GB RAM, Intel N750 (besoj, a diçka e tillë), 512 GB SSD, dhe integrated graphics.ishte dhe i ri, jo i përdorur, sikundër ThinkPad-i L13. Kam kohë ende të mendohem, e ndoshta do më dalin më shumë opsione përpara.

------------------------------------

Dhe ky jam unë. Më quajnë Klejdi, shkurt Klej ose Kle, dhe, edhe pse kam ende plot gjëra të tjera për të bërë, kërkesa dhe detyra për të përmbushur, shpenzoj mi9nimumi 5 orë në kompjuter ose telefon.

#########################
# Shkruajtur më 23 Shkurt 2025 #
#########################

Forume: 
Internet: 
Sisteme Operativë: 

Komente

laurenti's picture

Mirësevini Klejdi,
këtu mund të gjeni të gjithë ndihmën dhe përkrahjen e duhur në zgjidhjen e problemeve të ndeshura në fazë e instalimit dhe të konfigurimit të shpërndarjeve të ndryshme Linux. Një këshillë: mund të provosh të gjitha shpërndarjet Linux në qarkullim por, mos harro që Linux nuk është Windows, është si një `kostum` i bërë me porosi, me të vetmin ndryshim që në këtë rast je ti vetë `rrobaqepsi` dhe kush e vesh kostumin. Mund të fillosh me një instalim bazë (debian?) e pastaj ti shtosh gradualisht gjith'çfarë të nevoitet (dhe vetëm çfarë të nevoitet). Interfaqja grafike? Njëra është me e bukur se tjetra, varet nga hardware në dispozicion, në këtë menyrë mund të përdorësh kompjuter 10-15 vjeçarë apo të sapo prodhuar.
Server: mund të fillosh të eksperimentosh dhe argëtohesh edhe me një Raspberry PI (pse jo, edhe për një server personal MineCraft).
Nuk e kuptova mirë problemin me laboratorin e shkollës: nevoitet Microsoft Office për të shfletuar një libër? Formati i librave?
Problemi me Router-in: Modeli? Provider Internet?

klejdi's picture

Problemi me laboratorin e shkollës është se kompjuterat do të punonin më mirë me Linux, qoftë kjo dhe me Wine për aplikacionet e Office. Por librat punojnë, janë shkruar, për kompjutera me Windows. Ka plot mësime që mund të bëhen vetëm në një instalim të plotë Windows, ndoshta në VM gjithashtu, por ata s'e përballojnë dot një VM.

Problemi me Router-in qe se duhej të konfigurohej dhe adresa MAC e serverit manualisht, dhe kjo duhej lidhur dhe me konfigurimin e portave. Kur e kuptova këtë, kisha tashmë një server virtual, e kompjuteri prapë më duhej. Qe më e logjikshme ta lija fare si projekt.
Gjithashtu, jemi në Shqipëri, s'besoj të ketë ndonjë RasPi në shitje për më pak sesa çmimi origjinal + 200€ për kosto distributimi dhe transporti. Plus, RasPi janë dhe vetë të shtrenjta. Kam gjetur një alternativë, OrangePi, janë paksa më të lira, por prapë, kostoja e transportit e bëjnë një opsion të pavlefshëm para një laptopi normal.
Gjithashtu, e kisha një koncept të tillë për Linux. Por, duke qenë se jam student dhe, kohën e kam të ngushtuar, më ka filluar të më pëlqejë të shoh konfogurimet e gatshme. Kam përdorur plot herë konfigurime të miat, por, unë s'e mbaj një sistem për më shumë se dy javë, e kam zakon t'a prish pse t'a riinstaloj. Më ka shkuar mendja të krijoj një distro me konfigurimin më të mirë për vete, por, kam disa arsye pse tani s'është momentini duhur:
1-Një shok i imi provoi po këtë gjë para një muaji. Dhe, më duket gjenerimi i kernelit, i deshi mbi 8 orë, dhe ai ka kompjuter gaming, shumë herë më të fuqishëm se i imi (vjetërsia e hardware)
2-Koha. Fakti që atij i deshi 8 orë veç për kernelin, do të thotë që krijimi i një distribucion s'është diçka që, u zgjove në mëngjes dhe eja krijo një distro. Dhe, ende s'e di se ç'më duhet, se ç'pëlqej të kem. Kam një vision të turbullt për këto. Pra, më duhet dhe t'a planifikoj. (Koha + Përkushtimi)

laurenti's picture

Ok, kërkoj ndjesë për mosnjohjen e tregut dhe çmimeve të paisjeve elektronike në Shqipëri (mungoj prej shumë kohe). Po kështu nuk e njoh gjëndjen e raportit me piataformat e shitblerjeve OnLine (Rasperry në Amazon kushton nga 40 deri në 160€ për një pi5 me 16GB).
Përsa i takon PC-ve të laboratorit, duhet të fillojmë një fushatë mbledhje materialesh të përdorur? Mjafton një PC 10 vjeçar (intel ose AMD), me rreth 8GB RAM për të instaluar një debian pa interfaqe grafike dhe KVM per të ngritur 1 Windows 10/11 me programet që ju nevoiten, sigurisht, programet e piratuara janë jashtë teme këtu (një licencë win10 PRO OEM blihet edhe me rreth 12€ dhe një Office2019 Professional Plus me rreth 40€)
Përsa i takon kompilimit të kernel, 8 orë janë me të vertetë shumë (jam kurioz të shoh komandën dhe opsionet që ka dhënë ai shoku yt). Kur shkruajta për instalim bazë, nuk e kisha fjalën per të rikompiluar kernel-in, thjesht instalimin e paketave bazë të sistemit, pa interfaqe grafike apo programet shtesë.

klejdi's picture

RasPI gjithashtu duan dhe pajisje modulare të tjera, të mos gabohem. Ekran, ose të paktën konvertues, ndonjë dongle dhe një kasë (të themi të drejtën, ia vlen një kasë, qoftë dhe më e shtrenjtë se pajisja vetë). Plus, edhe pa quajtur këto, për kompjuter shtëpiak, ose të paktën një desktop, të zgjidhje një kompjuter normal do ishte shumë më e logjikshme. Besoj se RasPi përdor një proçesor të tipit Mobile, apo jo? Sigurisht, do ishte një opsion i shkëlqyer. Por, në shumicën e rasteve, kjo vlen vetëm nëse kompjuteri yt aktual është mjaft i fuqishëm. Për eksperimente do të dashuroja të kisha një RasPi, por jo si kompjuter të vetëm.
Ndërsa për PC-të. Tek faqja e https://shop.shpresa.al , si shembull, ka plot kompjutera të lirë, të përdorur. Por shkollat këtu, veçantërisht e imja, nëse u thua se "kompjuterat arrijnë të ndizen", e marrin si "kompjuterat do të punojnë dhe për pesë dekada". Nuk është problemi tek lekët, jo, se 50€ ose 80€ shkolla mund t'i mbledhë shumë lehtë. Problemi është te kopracia e tyre. Fakti se punon s'do të thotë se është në gjendje të mirë për tu përdorur nga fëmijë. Të presësh 10 minuta që kompjuteri të ndizet dhe pastaj dhe 5 të tjera që të hapet Chrome ose Word-i është torturë, dhe mësuesët e dinë, por u interesojnë shpenzime të tjera.
Gjithashtu, kompjuteri im është i 2015. Plot 10 vjet. I thashë specs-at tek postimi, por edhe pse me standarded e sotme mund të duken pak, edhe me një ndërfaqje grafike dhe debian, mund t'a hapi një KVM me Tiny10 ose Tiny11 gati si të ishte lokal. Dhe, për piratimin. KVM-të, me sa di unë, kanë ndërfaqje grafike, janë tipike si VM-të, apo jo (Pra, jo vetëm Console ose ndërfaqje si Wine që hap vetëm programin, pa desktop)?. Mua aq më duhet, një desktop i Windows dhe e piratoj si Windows-in dhe Office. Nuk më intereson shumë i marrin paratë apo jo gjigandët e kompjuterave dhe internetit, kur kërkojnë 300 € në vit për një program që mezi përditësohet njëherë në vit. Nëse ka mënyra piratimi, s'ka shance që unë të paguaj.
Në rregull, besoj e teprova me këtë, më fal!
Dhe për kernelin. Unë u përpoqa të shpjegoja idenë time, por si duket s'e kam bërë qartë.Një version i përshtatur i Linux-it për mua do ishte më mirë të kishte dhe pjesë nga disa distribucione të ndryshme. Për shembull: Nga EndeavourOS do të merrja konfigurimin e i3, nga Linux Mint do të merrja aplikacionet e parainstaluara, nga CachyOS do të merrja kernelin e përshtatur, nga Ubuntu menaxherin e pakove, nga NixOS përditësimet atomike e me rradhë, e s'besoj se këto do t'ia vlenin të bëheshin në një instalim të vetëm kur të jepet liria të krijosh një distro komplet tjetër. Dhe, për da i përket komandave që përdori shoku, s'besoj se dhe ai i mban mend. Ai është shumë aktiv, u bë pak kohë që kur tentoi t'a bënte atë, dhe e ka harruar fare.

klejdi's picture

Gjeta linkun e tutorial-it që përdori ai shoku: https://www.youtube.com/watch?v=QlzoegSuIzg
Ai më tha dhe që, sikurse ai, të përdorja një extension të komandës ``make``, një të tillë si ``make -j {corenumbers}``

laurenti's picture

Jo, nuk kam kohë të shikoj Video tani.

Përsa i takon Raspberry PI: këtu ka info të mjaftueshme.
Raspberry suporton edhe windows:

Via VNC

Ja dhe Pi Hole me vite rrjesht në `mbrojtje` të familjes:

Via VNC

Përsa i takon KVM: liri të plotë në zgjedhjen e sistemeve operativë

Linux:

Via VNC

dhe windows:

Via VNC

Vazhdoj të jem kurioz në lidhje me formatin e librave që përdorni.

klejdi's picture

Mendoja se RasPi kishte arkitekturën e saj më vete, ndaj Windows është ndoshta i portuar atje? Me sa di, vetëm po të përdorësh versionet ARM të Windows-it, s'kam parë që Microsoft të ofroj një version për RasPi direkt nga ata.
Gjithashtu, KVM-të janë si tip të parakonfiguruara, pra, nuk duhet shumë punë që të kesh një sistem që punon, apo jo? Të paktën duhet të jenë si konfigurimi i VMware, të kenë vetë BIOS-in dhe support-in për sistemet e ndryshme, a s'është kështu?
Për sa i takon pajisjes me Pi Hole, dolëm tek mendimi im. RasPi janë të mira për gjëra të tilla si Servera, por jo si kompjuter i vetëm.
Librat tanë të IT-së janë të shtëpive botuese Albas, Ideart dhe Pegi. S'besoj të ketë kopje online falas, me sa kam parë, vetëm Idearti kishte një shfletues PDF për librin online, falas.

laurenti's picture

Raspberry në foto është një version Pi5 me 16GB, versioni i windows është windows11-arm64 dhe, zëvendësoi një PC Industriale me kosto prej rreth €2500, që nuk kishte gjë tjetër veç një programi (proprietar, i mbyllur) që lexon dhe regjistron të dhëna nga disa PLC. Tani, programi i tyre vazhdon të punojë `i lumtur` tek zgjidhja jonë me kosto totale prej €220 (që ushqehet thjesht me 5V e 2.1A).
Përsa i takon KVM wikipedia, si gjithmonë, ka informacione të mjaftueshme.
- Varet nga ideja e "kompjuterit" të vetëm, nëse e ke fjalën për PC desktop, nuk besoj të ketë dy njësoj: dikush e përdor për të luajtur, dikush për të studiuar, dikush për të programuar, të tjerë thjesht për internet: të jesh i sigurt që desktop kit i raspberry-t është mëse i mjaftueshëm për shumicën e tyre