You are here

Hyrja Ime (Intro)

klejdi's picture

Gjëja që nisi udhëtimin tim me kompjuterat, qe rasti që pati im atë në vitet '90 për të provuar kompjuterat. Nuk e di se ku ose kur ndodhi, thjesht di që ai rast e la tim atë të kuptonte se kompjuterat ishin tipi i tij, gjëja e tij ("was his thing").

Kompjuteri më i vjetër që mbaj mend të kem përdorur ishte një si tipi i iMac-save të vjetër, kishte ekran CRT dhe mbaj mend që e hapnim zakonisht në raste kur prishej. Ama, ishte katror, dhe këto janë gjërat e vetme që mbaj mend për të, kanë kaluar mbi 11 vjet. Kishim dhe një laptop, Sony, që iu dogj GPU-ja kur ime më e përdorte mbi batanije natën. Hera e parë që e pashë atë qe në Shtator, vitin e kaluar, 2024. Midis kësaj periudhe të kompjuterit me CRT dhe sot, kemi pasur plot pajisje të ndryshme.

Dy prej tyre ishin kompjutera rë një Internet Kafeje, Hewlett-Packard me Pentium 2, me HDD 40 GB dhe 2 GB RAM, besoj DDR2. Njëri prej tyre kishte prograin origjinal të sistemit të Kafesë. Kur hapej sistemi, Windows XP, kërkonte një username dhe password, që ne i dinim. Të instaluara kishte Counter Strike (s'e di çfarë versioni), GTA Vice City, disa programe për menaxhimin e serverave të lojërave dhe paketën e Office, mbaj mend të ishte Office 2007. Ndërsa tjetri kishte Windows 7, edhe ky paketën e Office, por asnjë lojë. Para 7-8 vjetësh, m'u tek të filloja të përdorja kompjuterin. Për disa muaj vetëm kërkoja në Google ose shihja YouTube, gjersa më doli përpara "Emulacioni i aplikacioneve Android në Windows", e, Bluestacks kërkonte më shumë resurse sesa kishte kompjuteri im. Shkarkova një tjetër, i cili arriti të prishte një file në sektorin e boot të Windows-it. Atëherë nuk merrja shumë vesh nga kompjuterat, dhe fakti se një riformatin sistemi këtu ende kushton 25$, më trembi se s'do më jepej shansi për t'a përdorur atë.

Nga 2019, një kushëri i tim atë na dhuroi MacBook-un e tij të vjetër, MacBook Early 2007 (MacBook4,1). E çuam ta përditësonim, dhe për vitin e ardhshëm punonte për mrekulli, dhe pse i vjetër. Kjo gjersa fillova të shkarkoja lloj-lloj gjërash, si Adobe Illustrator, Minecraft Launcher, Opera etj.. Sistemi filloi të ngadalësohej, e ndaj unë vendosa t'ia rihedh. Nuk e di si e bëra, por besoj me anë të Recovery Mode. Më pas, pashë disa video të Windows-it të instaluar në MacBook. Gjatë kësaj periudhe, 2019-2022, im atë solli një kompjuter të tipit Workstation nga puna, Lenovo ThinkCentre E73, me Windows 10 të instaluar, Intel i3 3rd Gen, 128GB SSD, 5 (4+1) GB RAM DDR3. Që prej atje hodha Windows 7 në një USB me anë të Rufus, e, kur kuptova që MacBook-u im nuk e suportonte fillimin nga një USB me sistem 64-bit, hodha një ISO 32-bit në DVD, disa në fakt. Prapë nuk nisej. Pashë një video, një person kishte hedhur Windows 10 në të njëjtin MacBook, e ndoqa hapat e tij: hoqa HDD e laptopit për herë të parë, e futa tek Workstation-i, instalpva Windows-in që atje dhe e vendosa prapë. Fakti që arrita t'i hedh Windows-in më bëri të gëzoj për një javë plot.

Gjersa gjeta Linux-in disa muaj më vonë.

Distro-ja e parë besoj ka qenë Linux Mint, v19 me XFCE. E bëra instalimin nga Shtatori i 2023. Ishte paksa e ngavashtë, por ky fakt më dha shtysë të provoja distro të tjera. S'mbaj mend shumë se me cilën shkova më pas. Por di të them se shumica e distrove i kam provuar në këtë MacBook, edhe pse shumë i ngavashtë. Kështu a kalova kohën deri nga Nëntori vitin e shkuar, e midis këtyre datave, mbaj mend të kem provuar këto Distro:
Linux Mint, Debian, Lubuntu, Linux Mint + MATE, Kali Linux (me XFCE besoj), elementaryOS, Fedora Workstation, CentOS, WattOS, Pop!_OS, Ubuntu, Oreon (është tepër i ri), Alpine Linux dhe, domosdo, Arch Linux (me instalacion manual, jo Archinstall ose ndonjë skript tjetër). Këto të gjitha kanë qenë tek MacBook-u. Arch Linux më pëlqeu shumë, herën e parë i hodha KDE Plasma 6 ndërsa të dytën një javë më vonë XFCE. Në Shtator e zbërtheva MacBook-un për ta pastruar dhe t'i ndryshoja dhe pastën termale për disa padsa termale. Mirëpo, kurioziteti bën të vetën, de shkëputa një kabull të freskuses, i cili e kishte bazën (portin) më të hollë se 3mm. Nuk e vendosa dot, madje, duke provuar, e theva. Më erdhi shumë inat, s'kisha pajisje tjetër ku mund të bëja eksperimente (kështu mendoja), plus, prisha një trofe timin, mjetin që më mësoi gjithçka rreth Linux-it kryesisht, por dhe sistemeve.

Më pas u kujtova që mund t'i provoja të gjitha këto tek Workstation-i. Pas Nëntorit 2024, në Janar vendosa të ndryshoja komplet bazën time nga Windows 10 tek Linux. Në fillim desha t'i hidhja Nobara Project, i cili nuk u instalua korrektësisht, e ndaj mbeta me kompjutera pa sistem. Shkarkova Fedora KDE në Live Environment, e hodha tel USB-ja me Ventoy, dhe instalova atë. Për një javë a dy përdora atë, e riinstalova njëherë sepse pata probleme me lejet e përdoruesve dhe file-sat. Prapë s'më pëlqeu. I hodha NixOS, të cilin arrita t'a prishja, duke provuar të shkarkoja balenaEtcher, e cila, meqënëse përdor një bazë të vjetër që s'është në repositoret e NixOS, nuk instalohej. NixOS ishte me të vërtetë një koncept i bukur, por nuk ndoqa rrugën e vështirësimit. Instalova Ubuntu, po, me GNOME. Atë e përdora për gati një muaj të tërë, por ishte shumë i ngavashtë. Të paktën krahasuar me distro-t e tjera. Vendosa të bëja këtë: Të hidhja EndeavourOS me LXQt si sistem timin personal, me enkriptim LUKS, krahas Ubuntu-t. Ubuntu-n po e mbaja tashmë veçse për vëllezërit e mi, pasi, të themi të drejtën, ata dhe Windows-in mezi kuptonin t'a përdornin, e GNOME ishte perfekt për ta. Më pas desha të provoja Arch. Kësaj rradhe me Archinstall (për të ruajtur kohë) dhe i3wm, të cilën e konfogurova shumë bukur. Pastaj, një javë a dy më vonë, një shok (rus, nga interneti) më rekomandoi një distro: CachyOS. E kishte i3 të parakonfiguruar, dhe përdorte një kernel me të vërtetë shumë të shpejt, dyfish më i shpejtë se EndeavourOS në shumë raste. Mirëpo, instalimi "Replace Partition" dështoi disa herë. Kontaktova dhe support-in, por ata thanë që duhet të krijoja një partition të ri për /boot minimumi 2 GB, ose të ndryshoja madhësinë e së parit, dhe që të dyja këto nuk funksionuan. Instalimi ndërpritej tek Bootloader. Vendosa ta fshija fare Ubuntu-n, e formatova SSD-në dhe instalova CachyOS. Hera e parë ishte me Openbox, të parakonfiguruar. Ishte shumë, shumë i bukur dhe i lehtë për t'u përdorur si WM, por tashmë isha mësuar me Tiling WMs, dhe Openbox ishte Floating. Nuk e përdora shumë, ndoshta tre ditë. E hodha prapë CachyOS, me i3. Ama, animacionet e picom ishin shumë të ngavashta, plus edhe i3 ndoshta ishte mërzitur duke u përdorur nga unë (lmao). Thashë të provoja Hyprland. Instalimi manual nuk më pëlqeu. Ndaj instalova versionin e parakonfiguruar bashkë me një riformatim. E përdora deri tre a katër ditë më para (se sot). Më pëlqeu shumë, dhe arsyeja e vetme pse e hoqa përsëri ishte se desha të provoja konfigurimin e i3 të EndeavourOS. Atë kam të instaluar tani për momentin.

-------------------------------------

Tani të flas pak për serverat. Nga Shtatori mësova që serverat mund të bëheshin dhe me kompjutera shtëpie, e s'donin ndonjë "të fantaksur të seksionit të IT-së". Vendosa që Workstation-in t'a ktheja në një server. E lidha direkt me Router-in, instalova Ubuntu Server pa pamje grafike (të cilën ia hodha më pas), dhe u përpoqa ta konfoguroja për një javë a dy. Huq më shkoi, asgjë s'bëra dot. Por kjo më shumë nga fakti që Router-i i shtëpisë sonë nuk e ka konfigurimin e tejçimit të portave aq të thjeshtë. Atëherë madje më dukej e pamundur. Shkova në Reddit, hodha një foto të panelit të menaxhimit të Router-it, dhe kërkova ndihmë. Një djalë më tha të shkonim në DM, në Discord. Ai më ndihmoi shumë me konfigurimin e serverit. E riinstaluam sistemin, instaluam Pterodactyl (Ptero për shkurt), konfoguruam serverin e Minecraft dhe u ndalëm tek problemi me portat. As ai nuk po e kuptonte se ç'kishte që nuk bëhej tejçimi i portave. Ne e kishim konfiguruar siç duhej. Ndejtëm 3 javë të tëra duke e bërë konfigurimin e serverit, por kjo ngaqë unë isha i ngarkuar me punë. Ai si duket u lodh, dhe vendosi të më ofronte një server falas, të tipit VPS. Ai kishte në pronësi një kompani hostimi (Zorrito Hosting, tashmë VilisHost), e harxhoi disa para dhe kohë të më konfiguronte një server. Më pas fitova një giveaway të tyre (s'besoj se bëjnë më), të një serveri me 128 GB NVMe, 1 GBPS@Untethered, 3 VCores @ 3.5 GHz. Desha t'a përdorja si server për lojëra, por koha e shkurtër që ofruan, një muaj, qëlloi të ishte dhe në periudhën kur unë shkoja në dy kurse pas shkolle. Pra, e shpërdorova serverin. Kalon një muaj a dy, dhe i kërkoj një server nga paneli i tij privat, një server Minecraft-i. Ma dha atë, ende e kam, ende luaj në të kohë pas kohe. Ky tipi, me pseudonimin Surden, më ndihmoi shumë, shumë të kuptoja se si konfiguroheshin serverat. Dhe e falenderoj shumë nëse e lexon këtë ndonjë ditë.

------------------------------

Tani, s'do ta quaja përdorimin e Windows-it harxhim kohe, por thjesht të pavlershëm, kur bota e Linux-it ishte gati. Të dyja kanë të mirat e tyre, Linux-i lirinë e aksesit, ndërsa Windows-i mirënjohjen dhe famën, por dhe kompabilitetin dhe njohjen si një njësi e vtme dhe jo grup sistemesh.

--------------------------------

Në janar të këtij viti, riparova disa kompjutera nga laboratori i shkollës. Janë kompjutera të vjetër, të viteve 2000-2004. U shtova RAM-in disave, me stick-sat e mi, dhe të tërë kompjuterave që rregullova u hodha Windows 7 Proffesional, shumica 32bit. Më pas u hodha Office 2016 ProPlus, pasi librat tani punojnë me këtë version ose më të ri, dhe ata kishin Office 2007. Mësuesja më kishte folur shpeshherë për këtë problem. "Edhe pse paksa më të ngavashtë, të paktën fëmijët mund të punojnë.". Shpenzova shumë kohë, po, por kjo sepse shpejtësia e tyre ishte shumë e ngavashtë. Do të doja t'i hidhja Linux-in, ndoshta ndonjë stable-release me LTS, por librat punojnë me paketën e Windows-it, dhe, e di që WINE do të kryente një punë shumë të mirë, por akoma nuk e di si ta aktivizoj (me piratim) Office-n brenda WINE. Më duhet të hap një terminal që pastaj të ekzekutoj një skript. Ndoshta kjo është e thjeshtë, por deri më tani s'kam parë se si mund t'a bëj këtë. Linux-i me tërë mend do t'i lejonte ata kompjutera të përdoreshin për ndoshta dhe një dekadë tjetër pa probleme, por këto dy arsyet e mësipërme (librat dhe WINE) më kufizojnë shumë për lejen që t'ua instaloj.

------------------------------------

Sa për karrierën, do vazhdoj për IT. Nuk e di se në ç'sektor ende, por ndoshta në diçka që ka lidhje me programimin dhe sistemet. Këtë vit marr bursën nga shkolla për notat, dhe, edhe pse shumë pak (180 Euro), shpresoj të blej ndonjë laptop nga Qershori, ndoshta me këste. Unë gjithashtu jam artist, vizatoj ndonjëherë, më shumë për hobby, por të tjerëve, shumicës, u pëlqejnë vizatimet e mia. Në një dyqan pashë një laptop, ThinkPad L13 Yoga, me Intel i5 10th Gen, 8 GB RAM dhe 256 GB SSD, por u shit. Kishte dhe stylus, dhe touchscreen FHD. Ndoshta do të marr ndonjë laptop me sistem Ubuntu-n ose pa sistem, me Windows janë shumë më të shtrenjtë. Prapë do të jetë ndonjë ThinkPad, ose ndoshta ndonjë notebook. Një i BlackView ma kapi syrin, ishte 270 Euro, 16 GB RAM, Intel N750 (besoj, a diçka e tillë), 512 GB SSD, dhe integrated graphics.ishte dhe i ri, jo i përdorur, sikundër ThinkPad-i L13. Kam kohë ende të mendohem, e ndoshta do më dalin më shumë opsione përpara.

------------------------------------

Dhe ky jam unë. Më quajnë Klejdi, shkurt Klej ose Kle, dhe, edhe pse kam ende plot gjëra të tjera për të bërë, kërkesa dhe detyra për të përmbushur, shpenzoj mi9nimumi 5 orë në kompjuter ose telefon.

#########################
# Shkruajtur më 23 Shkurt 2025 #
#########################

Forume: 
Internet: 
Sisteme Operativë: 

Komente

laurenti's picture

Mirësevini Klejdi,
këtu mund të gjeni të gjithë ndihmën dhe përkrahjen e duhur në zgjidhjen e problemeve të ndeshura në fazë e instalimit dhe të konfigurimit të shpërndarjeve të ndryshme Linux. Një këshillë: mund të provosh të gjitha shpërndarjet Linux në qarkullim por, mos harro që Linux nuk është Windows, është si një `kostum` i bërë me porosi, me të vetmin ndryshim që në këtë rast je ti vetë `rrobaqepsi` dhe kush e vesh kostumin. Mund të fillosh me një instalim bazë (debian?) e pastaj ti shtosh gradualisht gjith'çfarë të nevoitet (dhe vetëm çfarë të nevoitet). Interfaqja grafike? Njëra është me e bukur se tjetra, varet nga hardware në dispozicion, në këtë menyrë mund të përdorësh kompjuter 10-15 vjeçarë apo të sapo prodhuar.
Server: mund të fillosh të eksperimentosh dhe argëtohesh edhe me një Raspberry PI (pse jo, edhe për një server personal MineCraft).
Nuk e kuptova mirë problemin me laboratorin e shkollës: nevoitet Microsoft Office për të shfletuar një libër? Formati i librave?
Problemi me Router-in: Modeli? Provider Internet?